Për shtatë muaj, motoçikleta ua mori jetën tetë kosovarëve

Tetë motoçiklistë humbën jetën brenda shtatë muajve, në Kosovë, si pasojë e aksidenteve automjet-motoçikletë, përfshirë këtu dy raste prej tyre me katërrotësh.

Këtë e konfirmon vet Policia e Kosovës në një përgjigje për klankosova.tv, kur u pyet mbi shqetësimin e rritjes së shifrave të aksidenteve kryesisht me skuterë.

”Gjatë periudhës kohore Janar – Korrik 2024 nga 325 aksidente “automjet – motoçikletë” jetën e kanë humbur 8 motoçiklistë duke përfshirë edhe katërrotëshit, (rrjedhimisht 6 raste me motoçikletë dhe 2 raste me katërrotësh)”.

Lidhur me këtë fenomen tejet brengosës, njohësi i komunikacionit Muhamed Krasniqi, për klankosova.tv përmendi edhe disa prej shkaktarëve të të tillave aksidente madje fatale.

”Viteve të fundit në rrugët e vendit tonë është shtuar prania e motorëve, mirëpo akoma mungon kujdesi i përdoruesve tjerë të rrugës për këtë kategori ngasësish”, u shpreh ai.

Ndërsa instruktori Sadik Behrami, flet se kriteri primar që duhet të respektohet nëse një kandidat do të pajiset me këtë kategori të patentë-shoferëve, është mosha derisa shton edhe të tjera:

”Këshilla e parë për të gjithë motoçiklistët është që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë së lëvizjes dhe rregullat e sigurisë së trafikut rrugor. Ngasësit e motoçikletave përgjatë lëvizjes së tyre të mbajnë helmetën mbrojtëse dhe pajisjet tjera mbrojtëse, poashtu të mbajnë distancën në mes mjeteve tjera rrugore”.

Por, një kombinim faktorësh rezulton në një situatë të tillë problematike të sigurisë rrugore.

Kështu mendon profesori universitar, Muhamed Krasniqi, i cili përmend sërish se prania e motoristëve neglizhohet nga pjesëmarrësit tjerë “më të mëdhenj” në trafik.

”Motorët dhe skuterët janë më të vegjël dhe më të vështirë për t’u vërejtur nga ngasësit e veturave, veçanërisht në situata të trafikut të dendur ose kur ndryshojnë shiritin dhe drejtimin e lëvizjes”.

”Shpesh, ngasësit e veturave nuk e kontrollojnë në mënyrë të kujdesshme trafikun prapa tyre ose anash kur ndryshojnë drejtimin, duke e rritur rrezikun për mundësitë për përplasje me motorët”, specifikon ai.

Kurse instruktori Behrami, sqaroi për klankosova.tv edhe procesin e testimit nga pjesa teorike dhe praktike për këtë kategori.

”Te pjesa praktike përfshihen shtatë veprime në poligon, dhe nëse një gabim bëhet në cilëndo prej këtyre veprimeve atëherë kandidati nuk kalon provimin. Nëse e kalon poligonin atëherë vazhdohet testimi në qytet ku duhet të respektohen të gjitha rregullat e trafikut”.

Megjithatë, profesori universitar, Krasniqi, duke qenë se edhe vet nget motorë, nuk mohon faktin se një nga arsyet shkaktare të aksidenteve të tilla, mbetet infrastruktura e dobët rrugore.

”Gjendja jo e mirë e rrugëve mund të çojë në humbjen e kontrollit të motorëve, mungesa e sinjalizimeve të duhura, mund të shkaktojnë konfuzion dhe gabime nga ana e motoristëve, ndikimi mjedisor (shiu, akulli, ose mjegulla), mund të rrisin rrezikun e rrëshqitjes ose përplasjes, rrugët e pa ndriçuara, problemet mekanike (problemet me frenat, gomat ose sistemin e drejtimit), etj”.

Sipas tij duhet edhe një vetëdijësim më i zgjeruar i ngasjes së skuterëve edhe mbi problemet si më poshtë:

”Shoferët e motorëve shpesh e kalojnë kufirin e shpejtësisë, rrjedhimisht mund të humbin kontrollin mbi motorin, mungesa e përvojës qe shfaqet me mungesën e aftësive të duhura për manovrim, përdorimi i alkoolit dhe substancave të tjera”.

Madje përmend edhe faktorin tjetër, te ngasësit të cilët nuk posedojnë fare patentë-shofer për motoçikletë.

”Te ata kryesisht mungojnë njohuritë bazike për rregullat e trafikut dhe çalojnë ne manovrimin e sigurt si dhe sjelljen e përgjegjshme në rrugë”.

”Është absolutisht e rrezikshme lëvizja e tyre në rrugë, pa trajnim e duhur sepse motoristët e rinj dhe pa leje drejtimi shpesh nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e përdorimit të helmetës dhe të pajisjeve të tjera mbrojtëse”.