Takimi i djeshëm mes Kurtit, Vuçiqit e Borrellit nuk pati sukses. Megjithatë, tashmë janë të qasshme për publikun edhe Propozimi i kryeministrit tonë por edhe Propozimi i bërë nga Bashkimi Evropian. Cilat janë dallimet mes Propozimit të Kurtit dhe Propozimit të Borrellit?
Të mos merremi me fjalët që i thanë Kurti e Borrelli. Kurti bile pretendoi se BE-ja nuk kishte dhënë fare propozim. Të merremi vetëm me dokumentet respektive.
Te Propozimi i bërë nga Kurti hapat nisin me zbatimin e Nenin 2. Kërkohet që të depozitohet Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit te Sekretari Gjeneral i NATO-s dhe e informon Këshillin e Sigurimit të OKB-së për marrëveshjen bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Pra, Kosova kërkon që të niset zbatimi me legjitimimin e mëtejmë të Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit në mungesë të nënshkrimeve.
Ndërkohë, BE-ja si hap të parë i ka dy gjëra njëkohshëm – për ta kënaqur në një anë Serbinë, dhe në tjetrën Kosovën. Pra, dy hapa përnjëherë. Në një anë, nisen negociatat për Statutin e instrumentit vetëmenaxhues për serbët e Kosovës. Pra, negociatat për statutin e Asociacionit. Në tjetrën anë, Serbia heq dorë nga përpjekja e saj që të insistojë në përdorimin e asteriskit dhe fusnotës por edhe që Kosova të përfaqësohet përmes UNMIK-ut.
Si hap të dytë, Kurti ka propozuar njohjen e dokumente dhe simboleve kombëtare.
Si hap të dytë, BE-ja e ka përmbylljen e negociatave për statutin e Asociacionit. Por, si hap të tretë BE-ja e ka zbatimin e Nenit 3, që thotë se palët nuk do të intervenojnë në punët e brendshme të njëra tjetrës.
Kurti flet për Asociacionin në hapin e katërt për herë të parë (nëse anashkalojmë pikat e kryera për Ekipin Menaxhues).
“Nisja e negociatave mbi Stautin e instrumentit vetëmenaxhues për serbët e Kosovës.” – shkruhet në dokumentin e prezantuar nga Kurti. Pra, edhe kryeministri i Kosovës, e nxjerr Asociacionin para marrëveshjeve tjera të arritura në Bruksel prej vitit 2011.
Zbatimi i marrëveshjeve tjera është në hapin e dymbëdhjetë të Propozimit të Kurtit. Pra, tetë hapa më herët është nisja e punës me Asociacionin. Nëse nuk më besoni, futuni në profilin e kryeministrit Kurti në Twitter dhe lexojeni vetë.
Kurti ia ka dedikuar Asociacionit shtatë nga 18 hapat, përfshirë edhe dy për Ekipin Menaxhues. Propozimi i BE-së i ka vetëm 13 hapa.
Në Propozimin e BE-së nuk parashihet dërgimi i statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Si dhe, parashihet që themelimi i Asociacionit të ndodh më herët se te Kurti. Te Plani i BE-së ai është në hapin e katërt. Te Plani i Kurtit themelimi i Asociacionit është në hapin e trembëdhjetë.
Por, ka edhe dallime të tjera.
Ta zëmë, BE-ja kërkon që strukturat paralele që administrohen nga Serbia në Kosovë të çmontohen por që – nëse është e përshtatshme – të ndodh tranzicioni i tyre në Asociacion.
Kurti kërkon që strukturat paralele që administrohen nga Serbia të çmontohen. Shërbimet që këto struktura kanë ofruar të tranzitojnë në komunat e Kosovës në pajtim me ligjin e Kosovës. Komunat më pas, thotë Propozimi i Kurtit, do të nisin bashkëpunimin përmes partneriteteve që të ofrojnë bashkërisht këto shërbime. Pra, edhe këtu besohet të jetë fjala për Asociacionin.
Propozimi i Kurtit:
Propozimi i BE-së:
/Nacionale