Peja plasë prej pengesës “palestër”, proklamon papërgjegjësi

KB Peja ka shpërthyer krejt ndaj autoriteteve gjegjëse që organizojnë zgjedhjet në Kosovë.

Kjo për shkak se si sipas tyre, do të detyrohen të bëjnë lëshime në shumë forma, veçanërisht kah aspekti i tifozëve, vetëm e vetëm sepse politikës i duhet kështu.

Përmes një reagimi të gjatë, pejanët kanë akuzuar instancat relevante, duke thënë se kjo është një papërgjegjësi.

Më poshtë edhe reagimi i plotë:

Papërgjegjësia ka emër.

Sot shënon data 16 tetor, kur sipas marrëveshjes dhe premtimit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, palestra “Karagaçi” do duhej të ishte e liruar për klubet në mënyrë që të vazhdojë në mënyrë të rregullt mbarëvajtja e edicionit sportiv. Por, kjo nuk ka ndodhur – dhe nuk pritet të ndodh, të paktën këtë javë.

GO+ Peja, që këtë vit merr pjesë në gara të ndryshme – përfshirë edhe ato Europiane, po detyrohet të ndërmarrë hapa të jashtëzakonshme në mënyrë që ta vazhdojë sezonin siç duhet.

Klubi jonë, përveç që stërvitet në ambient që s’i përmbush kushtet dhe kërkesat për intensitetin e punës tonë – në një sallë të shkollës, poashtu është detyruar që ndeshjen e parë historike në ENBL, ta luante jashtë Pejës, duke minimizuar kështu në maksimum numrin dhe mbështetjen e tifozëve që do ta gëzonim në “Karagaçi”.

Po të mos mjaftonte kjo, si duket GO+ Peja do të detyrohet që edhe ndeshjen e parë si vendas këtë sezon, e paraparë të luhej më 18 tetor ndaj KB G.E Yllit – ta shtyjë për një afat tjetër, pasi salla vazhdon të jetë e zënë nga KQZ. Kjo e vendos klubin tonë dhe Superligën në pozitë shumë të vështirë, pasi në një sezon super të ngjeshur tashmë, do jetë thuajse e pamundur të gjindet një datë e vlefshme për të dy palët.

Duke parë kalendarin, jo me dëshirën e vullnetin tonë, GO+ Peja do të detyrohet që të mos luaj ndeshjen e parë sezonale në shtëpinë tonë deri në muajin Nëntor.

Përgjegjësia jonë morale më e vogël është t’iu kërkojmë falje tifozëve, edhe pse faji po shihet se ku qëndron – sa ju mungon juve klubi, na mungoni edhe ju neve si mbështetje.

Fatkeqësisht, sallat sportive nuk po e kanë në rend të parë sportin. Vazhdojmë përpara në kushte të limituara, larg tifozëve e larg shtëpisë – një precedent i paparë e i padëgjuar më parë./Përmbledhja