Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga Drejtoria koordinuese në Beograd.
Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë.
Nga Aeroporti i Prishtinës nuk është e mundur të udhëtohet me pasaportë të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e MPB-së së Serbisë në Beograd për qytetarët e Kosovës, sepse autoritetet e Kosovës e konsiderojnë të paligjshme. Megjithatë, poseduesit e këtyre pasaportave mund të udhëtojnë nga çdo vend i rajonit.
Komisioni Evropian në muajin nëntor të vitit të kaluar kur rekomandoi heqjen e vizave edhe për bartësit e këtyre pasaportave, si arsyetim dha qëllimin që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të gëzojnë liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh se çfarë pasaporte posedojnë. Ky propozim i Komisionit Evropian erdhi pasi ishte e qartë se nga 1 janari shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Schengenit.
Vendimi i së martës u miratua në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 406 vota për, 97 kundër dhe 94 abstenime.