Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se raporti i Transparency International vërtetoi se Kosova po udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar, e paaftë dhe e dëmshme për shtetin dhe qytetarët.
Ai tha se është tejet shqetësuese mungesa e vullnetit politik nga Qeveria Kurti për të luftuar korrupsionin, e cila, përveç kësaj, tashmë ka marrë në mbrojtje zyrtarët e saj të korruptuar duke penguar hetimet e pavarura.
“Edhe një herë me radhë, raportet ndërkombëtare po dëshmojnë se Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj, po vazhdon të sulmojë organet e drejtësisë, të mbrojë njerëzit e saj të korruptuar dhe të pengoj hetimet e pavarura ndaj tyre. Këtë, dje e dëshmoi edhe Transparency International, e cila në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, ka renditur Kosovën në pozitën e 83-të në ranglistën botërore, me vetëm 41 pikë”.
“Pra gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk ka pasur asnjë progres në luftën kundër korrupsionit. Republika e Kosovës në rang botëror mban pozitën e 83-të, njëjtë me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami”, theksoi ai.