Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, tha se Qeveria aktuale ka nisur përpjekjet që nëpërmjet ligjit të kapë Administratën Publike dhe të largojë nga puna mijëra zyrtarë civilë që kanë pozita menaxheriale.
Gruda ka ngritur alarmin se ky veprim i qeverisë aktuale është kundër kushtetues dhe cenon procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Sipas tij kjo përpjekje e qeverisë është shantazh dhe kërcënim direkt për të vënë nën kontroll politik gjithë shërbimin civil të Kosovës.
“Qeveria aktuale pasi ka kapur çdo institucion publik duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundër kushtetuese në administratën publike. Kjo qeveri këto ditë ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publik të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për t’a kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.
Më tej Gruda theksoi se nëpërmjet projektligjit për Zyrtarët Publik të Kosovës, Qeveria po cenon sigurinë juridike të shërbimit civil.
“Qeveria ka paraparë që pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, të ju ndërpres kontratat e punës që kanë fituar sipas akt emërimeve të përhershme, të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita, dhe këto pozita të jenë me mandat 4 vjeçar. Këtu bëhet fjalë për mijëra zyrtarë që aktualisht mbajnë këto pozita. Me këtë rast, mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre. Pra, për pozitat e të gjithë këtyre zyrtarëve do të shpallen konkurse të reja dhe atyre do të ju pushoj marrëdhënia e punës që kanë tani, për tu zëvendësuar me militantë partiak.”, tha Gruda.
Sipas Grudës në rast të miratimit dhe zbatimit të këtij projektligji, administrata publike do të politizohet, do të hapet mundësia e korrupsionit dhe do të bëhet e cenueshme sa herë ndërrohen qeveritë.
PDK-ja i bën thirrje Qeverisë Kurti që para se ta miratojë këtë projektligj, të largojë dispozitat kundër kushtetuese që shkelin detyrimet e Kosovës karshi Bashkimit Evropian të marra përmes MSA-së.
“Po ashtu, i bëjmë thirrje Zyrës së BE- në Kosovës që të kundërshtoj me gjithë forcën e saj këtë nismë të qeverisë për të shkatërruar administratën e shtetit. PDK nuk do të lë mjet dhe rrugë demokratike pa përdorur për t’i mbrojtur shërbyesit civilë nga ky arbitraritet brutal dhe se nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që rruga evropiane e Kosovës të pengohet nga mungesa e profesionalizmit, qëllimet jo të mira dhe synimet e qarta të kësaj qeverie për të vënë administratën e shtetit në shërbim të partisë në pushtet”, tha Gruda.
Ai tha se vërejtjet e Zyrës së Bashkimit Evropian për këtë projektligj, qeveria aktuale nuk i ka marrë parasysh. /Sinjali