Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan ka akuzuar kryetarin Hyseni se ka paguar një faturë të majme drekash zyrtare.
Fatura në fjalë kap shifrën prej 25 mijë eurosh, përcjell Paparaci.
Tutje, nga kjo degë, përmes komunikatës përkatëse kanë thënë se qeverisja e VV-së në Gjilan është zhytur në kaos e keqpërdorime financiare.
Madje, ata kanë publikuar edhe një dokument, e ku pretendojnë se dëshmohet pagesa për fatura për dreka zyrtare.
Komunikata e plotë:
Skandal i paparë deri më tani në Kosovë, kryetari i Gjilanit paguan 25 mijë euro vetëm për një faturë për dreka zyrtare dhe akomodim
Qeverisja e VV-së në Gjilan është zhytur në kaos e keqpërdorime financiare. Vetëm për një faturë hoteli, kryetari i Gjilanit ka lejuar dhe paguar shpenzimin e buxhetit në vlerë prej 24,725.40 euro për akomodim dhe dreka zyrtare.
Ky veprim i jashtëligjshëm është bërë pa buxhet të planifikuar, pa procedurë të prokurimit dhe pa vendim të Kuvendit Komunal për ta financuar një faturë të tillë.
Financimin e Teatrit të Gjilanit e bënë qeveria e Republikës së Kosovës sipas buxhetit të planifikuar. Komuna nuk ka pas obligim të paguaj këtë faturë, por edhe nëse ka qenë e domosdoshme atëherë është dashur që kryetari i Gjilanit t’i adresohet Kuvendit Komunal për të lejuar buxhet shtesë për subvencionimin për mallra dhe shërbime për Teatrin e Gjilanit.
Gjatë vitit 2023, komuna e Gjilanit ka paguar gjithësejt 53 mijë euro për 167 fatura të restauranteve. Po ashtu ka paguar vetëm për akomodime hotelesh 32 mijë euro. Duke përfshirë edhe shpenzimet e udhëtimit jashtëvendit kryetari i Gjilanit ka shpenzuar mbi 110 mijë euro.
Shfrenimi ka arritë kulmin e qeverisjes së VV-së, shpenzohet pa kontroll, pa procedura, pa vendime dhe pa mend. PDK do të marr hapa ligjor për këtë rast dhe rastet tjera që kanë të bëjnë me shkelje të rënda ligjore për keqpërdorime financiare.