PD kundër votimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2025

Partia Demokratike ka reflektuar qëndrimin e saj kundër votimit elektronik në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Kështu është bërë me dije përmes një shkrese dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas kërkesës së opinionit ndaj partive politike nga ky organ.

Përmes shkresës dërguar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, demokratët, nën firmën e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, radhit tre arsye kryesore për këtë qëndrim.

I pari, është fakti se pretendohet se ende nuk është bërë transparencë e plotë, lidhur me problematikat që kanë karakterizuar këtë proces në dy zgjedhjet paraardhëse.

I dyti lidhet me mungesën e pretenduar të mekanizmave efikase të adresimit të problematikave të konstatuara.

Teksa, i treti, me një presion të pretenduar në një kohë të pamjaftueshme për një implementim efikas të teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme.

Nga ana tjetër, më 16 tetor, Partia Socialiste ka kërkuar që përveç Durrësit dhe Elbasanit të përfshihet edhe Tirana, si qarku më i madh.

“Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumë emërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votuesit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit”.

Sipas PS-së, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit, por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.

“Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik”, shkruhet në dokument.

Më tej theksohet se, “në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës”./AlbanianPost