Pas tensioneve në veri, sanksionet e vendosura të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të cilat përfshijnë pezullimin e fondeve te IPA-së për vitin 2024, e lënë në pikëpyetje fillimin e implementimit të projektit 76 milionësh të BE-së për rinovimin e TC Kosova B për vendosjen e elektrofiltrave.
Njohës të sistemit energjik ndonëse vlerësojnë se kjo çështje më shumë është politike ata thonë se i njëjti projekt është i rëndësisë jetike për KEK-un.
Rreth 25 vite synohet t’i rritet jetëgjatësia Termocentralit Kosova B.
Kjo përmes projektit të Bashkimit Evropian për vendosjen e elektrofiltrave dhe parakushtit të tij për investimet në kazanët e këtij termocentrali, të cilët përkundër vjetërisë reale të tyre janë në prodhim të pandërprerë tash e 40 vite.
Ani pse KEK-u ka përfunduar riparimin e kazanëve të njësisë B2 dhe tashmë ka filluar edhe me riparimin e atyre në B1, nga ky institucion nuk e dinë se kur BE-ja do të filloj investimin e elektro filtrave.
Krejt kjo si pasojë e sanksioneve të BE-së që i janë vendosur Kosovës pas tensioneve në veri, e në të cilat parashihet ndalimi i fondeve të IPA-së për vitin 2024.
Edhe nga Instituti INDEP, vlerësojnë se ky projekt është i rëndësisë jetike për Kosovën B, ndonëse thonë se kjo çështje është më shumë politike se sa teknike.
Kanal 10 ka tentuar të kontaktoj Ministrinë e Ekonomisë dhe Bashkimin Evropian nëse ky projekt do të filloj implementimin në vitin 2024 siç parashihet në marrëveshjen e “gjelbër” mes BE-së dhe Kosovës, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe Bashkimi Evropian kishte ndarë rreth 76 milionë euro për rinovimin e TCB dhe ndërrimin e elektro-filtrave për reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it.
Ndërrimi i filtrave, fillimisht ishte paraparë të bëhej në vitin 2020, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë.
Më pas, projekti synonte të vazhdonte gjatë vitit 2022, por edhe kësaj here ishte shtyrë për shkak të thellimit të krizës energjetike. /Gazeta10