Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë sonte në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Athinë, me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.
Agjencia e lajmeve ANA – MPA, raporton se nisma e kryeministrit Mitsotakis për të ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Mansionin Maximos për një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, nënvizon rolin e Greqisë si shtyllë për stabilitetin, paqen dhe sigurinë energjetike në Ballkan dhe në Evropën Juglindore.
Ndërkohë, të martën në orën 10:45 është paraparë takimi dypalësh mes kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe Kurtit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis, diçka që është sa thelbësore dhe simbolike.
Përpos Kurtit, nga liderët rajonalë do të marr pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, presidenti malazez, Jakov Milatoviç, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe presidenti serb, ish-ministri i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.
Në darkën joformale do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve që janë anëtare të BE-së si kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe i Rumanisë Ion-Marsel Ciolacu.