Partitë parlamentare në Kosovë kanë shprehur qëndrime të ndryshme për reformën zgjedhore, pas konstituimit të komisionit ad-hoc në Kuvend. Në partinë në pushtet, thonë se ky komision duhet të merret më shumë me rekomandimet e Bashkimit Evropian, që kryesisht ndërlidhen me administrimin e zgjedhjeve dhe jo të fokusohet në sistemin zgjedhor. Ndërsa nga partia opozitare, AAK, kërkojnë reformë të thellë, madje që prek edhe ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se krahas forcimit teknik, organizativ dhe administrativ të zgjedhjeve, komisioni duhet të shqyrtojë që pjesë e punës së tij të bëhet edhe mundësimi i të drejtës së votës të diasporës në ambasada dhe konsullata.
“Përgjithësisht rekomandimet e misionit të vëzhguesve të BE-së flasin për forcimin e procesit të administrimit të zgjedhjeve. D.m.th., aspektet teknike, organizative, administrative që garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të drejta. Rekomandimet e BE-së dhe vëzhguesve vendorë sa i përket procesit të zgjedhjeve nuk prekin atë që konsiderohet sistem zgjedhor. LVV-ja gjithmonë ka qenë pro forcimit të procesit të administrimit të zgjedhjeve, pasi i njëjti ka qenë pika më e dobët e zgjedhjeve në Kosovë. Ne nuk kemi konsideruar se Ligji për zgjedhje ose sistemi zgjedhor ka defekte që mund të reflektohen në proces, por mungesa e kapaciteteve dhe shpeshherë ndërhyrjet e kanë dëmtuar këtë. Në anën tjetër, është me rëndësi dhe do të bëhet pjesë e punës së këtij komisioni mundësimi i të drejtës së votës për bashkatdhetarët që të votojnë në ambasada dhe konsullata përveç të drejtës dhe mundësisë së votimit përmes postës”, thotë ai.
https://permbledhja.com/ask-pret-rritje-te-emigrimit-kete-vit-sociologu-arsye-jane-pagat-e-uleta-dhe-papunesia/
Qëndrim tërësisht të kundërt ka shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili thotë për KosovaPress se reforma zgjedhore duhet të jetë substanciale, pasi ndryshimet teknike mund t’i bëj edhe vet Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
Në komisionin ad-hoc, Tahiri thotë se duhet të diskutohet sistemi zgjedhor i Kosovës, ndarja në zona zgjedhore ose jo, listat e hapura me sa mundësi zgjedhje të jenë, si dhe votimi elektronik.
Ai përmend si nevojë edhe ndryshimet legjislative sa i përket zgjedhjes së presidentit, të marrë mandatin direkt nga vota e qytetarëve, apo nga deputetët në Kuvend.
“Emri reformë nënkupton ndryshim substancial. Një reformë që nuk krijon dhimbje dhe debat të thellë, ajo nuk është reformë, por një veprim teknik kozmetik që në vlerësimin tonë, mund të bëjë edhe vetë KQZ-ja. Është tepër me rëndësi që të diskutohet, fillimisht roli i presidentes, a duhet të vijë nga parlamenti apo të ketë mandat nga qytetarët. E dyta duhet të diskutohet zona, a duhet të ndajmë në zona zgjedhore apo jo Kosovën. E treta, lista, e hapur gjithsesi, mirëpo a duhet të jetë me pesë, një, dy apo tre mundësi. Edhe e fundit, votimi elektronik, ai është tepër me rëndësi që gjithçka të jetë e digjitalizuar që transparenca të jetë maksimale, si dhe numërimi. Ju e dini që njëherë numërohet në klasë dhe pastaj në qendër. Kur nuk përputhen formularët, atëherë hapen. Pyetja shtrohet se a duhet të ketë numërim vetëm në qendër. Pasi procesi shkon më shpejtë dhe të minimizohet ndikimi i komisionerëve, atyre që janë në klasë, në keqpërdorim të votës. Aspektet teknike, pastrimi i listave dhe rekomandimet që janë dhënë edhe nga Bashkimi Evropian dhe OSBE janë tema që mundet t’i kryejë edhe vetë KQZ-ja”, thotë ai.
Nga ana tjetër, Erblin Hoxha, nga Lëvizja FOL, thotë se formimi i komisionit at-hoc nga Kuvendi është hapi i parë për nevojën e ndryshimit të Ligjit për zgjedhje.
“Vet themelimi i Komisionit është një shenjë e mirë sepse duket se ndryshimet në këtë pjesën zgjedhore duhet të jenë më të gjëra… Mendoj që ky Komision është hapi i parë drejt një diskutimi më gjithëpërfshirës për nevojën e ndryshimit të Ligjit për zgjedhje, sidomos në diskutimin për krijimin e zonave zgjedhore. Është hap i parë, po pritet që tash të dalin më një strategji dhe me një plan të veprimit se cilat elemente specifike në ndryshimet që po dëshiron pozita dhe opozita t’i bëjë, të cilat janë ato çështje që ka pajtueshmëri dhe në të cilat duhet diskutim më gjithëpërfshirës dhe me grupet tjera të interesit”, thotë ai.
Kuvendi javë më parë ka formuar komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore, i cili është konstituar dhe pritet të fillojë punën në sesionin vjeshtor në Kuvend. Kjo është një iniciativë tjetër për reformë në sistemin zgjedhor, pasi e njëjta ka filluar qysh në vitin 2011, por pa gjetur konsensus ndërmjet partive për ta përfunduar.
https://permbledhja.com/nga-1-gushti-kosova-nuk-i-leshon-ne-kufi-shtetasit-me-dokumente-te-serbise/
Reforma zgjedhore është kërkesë e kahershme edhe Bashkimit Evropian, vëzhguesit e të cilëve, çdo proces zgjedhorë adresojnë rekomandime për përmirësim të zgjedhjeve.
Mes tyre, janë sigurimi i një mekanizmi të pavarur për mbikëqyrje efektive të financave të partive dhe të fushatës, dhe përfshirja e dispozitave për kontestimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të publikuara nga KQZ-ja dhe sqarim të paqartësive në procesin e ankesave dhe parashtresave.