Në mbledhjen e radhës, këtë të enjte, Kuvendi i Shqipërisë me votat e mazhorancës, miratoi Ligjin për rikthimin e Basteve Sportive Online, duke bërë një amendament të minutës së fundit që i heq të drejtën Parlamentit për dhënien e Licensës së Lotarisë Kombëtare.
Ligji për rikthimin e basteve, i kërkuar prej kohësh dhe nga institucione të ndryshme sportive, si KOKSH, apo dhe FSHF, si një mënyrë që një pjesë e rëndësishme e të ardhurave nga ky aktivitet të kalojnë në mbështetje të sportit, u miratua brenda pak minutash, në klimën e zakonshme të tensionit me dëputetët e rithemelimit që ishin në sallën e seancës plenare duke i rënë bilbilave, me votat e 72 opotetëve të mazhorancës.
Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërkohë që dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Brace dhe Fatmir Xhafaj abstenuan. Në ligjin e ri parashikohet edhe lejimi i reklamave të kompanive të basteve, në mediat audiovizive, por gjatë transmetimit të eventeve sportive dhe me kufizime të caktuara si për sa i përket orarit ashtu dhe përmbajtjes në mënyrë për të mbrojtur konsumatorin.
Me miratimin e disa amendamenteve, mbetet për t’u parë edhe nëpërmjet akteve nënligjore që do të miratohen në muajt e ardhshën se sa do ti shërbejë realisht sportit dhe sa përqind e të ardhurave të këtij aktiviteti që edhe pse ishte ndaluar prej 5 vitesh, vazhdonte të zhvillohej në mënyrë ilegale në platforma informale , do të kalojnë për mbështetjen e sportit në vend por edhe se si do të shpërndahen ato.