Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit është takuar me ambasadorin amerikan Robert A. Wood.
Osmani ka thënë se e ka informuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë dhe kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpuninimit.
“Përpara takimit të OKB-së sot, u takova me ambasadorin Robert A. Wood. E informova për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe diskutuam rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me aleatët për të trajtuar sfidat e përbashkëta”, ka thënë Osmani në X.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Këshillin e Sigurimit ka thënë se e vërteta do të dëgjohet dhe do të mbrohet.
Përmes një video të publikuar në Facebook, Osmani shihet me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin.
“Para takimit të Këshillit të Sigurimit, bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin, për t’u siguruar që e vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet! Na ndiqni sot drejtpërdrejt nga ora 16:00 (me kohë të Kosovës)”, ka shkruar Osmani në llogarinë zyrtare në Facebook.