Sot bëhen katër vjet qëkur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti hoqi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, e cila u vendos nga Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti pas heqjes së taksës 100 % të importit të mallrave nga Serbia.
Me sugjerimin e kryeministrit Hoti, me shumicë votash të kabinetit qeveritar u anuluan vendimet e qeverisë së mëparshme të miratuara më 20 mars dhe 30 maj për futjen graduale të reciprocitetit, në vend të taksës 100 për qind të mallrave nga Serbia.
Anëtarët e Qeverisë nga AAK e Ramush Haradinajt votuan kundër këtij vendimi, i cili si kryeministër në dhjetor 2019 futi taksën 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Pas seancës së qeverisë, kryeministri i atëhershëm Hoti tha se shfuqizimi i vendimit të mëparshëm për futjen e reciprocitetit heq pengesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë.