Kryeministri Albin Kurti është ftuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për të dëshmuar në raporton me kërkesën e Prokurorisë Speciale lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.
Kurti është ftuar për të dëshmuar më 4 mars të këtij viti me fillim nga ora 10:00.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar për Paparacin se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar urdhrin e datës 21.02.2025 me të cilin ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e themelores.
Kurti ishte ftuar më 10 dhjetor nga prokurorët e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për lëndën me numër PPS.nr.62/2023, që ka të bëjë me kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.