Para pak kohë është arrestuar ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.
Paparaci mëson se ish-komandanti i UÇK-së është dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë.
Remi, që ka qenë deputet i PDK-së vite më parë, dyshohet nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, për krime lufte.
Paparaci po ashtu ka provuar të kontaktojë me Gjykatën Speciale për këtë rast, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Megjithatë, para dy muajve, Mustafa kishte përfunduar dëshminë e tij në Hagë, raporton Paparaci.
Mustafa pati thënë se për të ka qenë shumë e rëndë ndjesia të ketë përballë bashkëluftëtarët e tij me akuza të padrejta.
“Nuk ka relativizim të fajit. Ky relativizim sa i pamoralshëm po aq i palogjikshëm, përfundoi me një kategorizim absurd dhe cinik: ata që sulmonin, ata që masakronin, ata që zbatonin strategjinë e tokës së djegur, ata që e pastronin etnikisht një territor të huaj, ata që ishin në tokë të huaj. Rrugën e relativizimit të fajit e ndjek politika serbe e mbështetur nga Rusia, madje edhe drejtuesit më të moderuar të partive politike dhe të shtetit”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, asnjë shpifje ndaj UÇK-së, nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi.
“Ata me po aq zell vazhdojnë ta zbulojnë fajin e të tjerëve, ndërkohë që nuk distancohen nga krimet që ka bërë një regjim, një shtet, njerëz konkretë në kohë dhe hapësirë të caktuar. Asnjë shpifje kundër të tjerëve, veçmas UÇK-së, asnjë imputim nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi, i cili duke indoktrinuar të tjerët e indoktrinoi veten, siç shihet, përjetësisht”, tha ai.
Remi kishte nisur dhënien e dëshmisë së tij në Hagë, para dy muajsh. Ai ishte dëshmitari i parë që ka dalë publikisht në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, pasi të gjithë të tjerët kanë qenë me masa mbrojtëse.