Reshjet e mëdha të shiut, kanë shkaktuar vërshime të lumenjve në shumë komuna të Kosovës.
Një nga familjet e prekura nga vërshimet, është edhe familja Krasniqi në Istog, e cila ka njoftuar se katër shtëpi në lagje janë bllokuar dhe asnjë zyrtar komunal nuk iu është përgjigjur ftesës për ndihmë.
“Katër shtëpi jemi bllokuar sot, saktësisht në rrugën Ditura në komunën e Istogut. Nëse vazhdon kështu, shumë shpejt na hyn uji në shtëpi brenda. Kemi kërkuar ndihmë nga komuna, por s’kemi marrë përgjigjje”, thotë Visar Krasniqi, banori i cili ka dërguar video nga kjo lagje.
Në anën tjeër, zëdhënësja e Komunës së Istogut, Delvina Sylaj, deklaron se nga mëngjesi kryetari i komunës, Ilir Ferati së bashku me ekipin e Drejtorisë së Emergjencave kanë dalë në terren të vëzhgojnë zonat dhe familjet e prekura.
“Është e vërtetë që shumë zona janë vërshuar, por për këtë rast nuk jemi në dijeni, dhe do ta raportoj menjëherë në Drejtorinë e Emergjencave. Megjithatë, nga ora 8:30 e mëngjesit, kryetari së bashku me drejtorinë e emergjencave kanë dalë në terren për të vëzhguar dhe dalur në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet. Jemi në gatishmëri për ndërhyrje në çdo situatë”, deklaroi Sylaj për Klankosova.