Njohësi i politikbërjes në vend, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se është pamaturi dhe gabim ta sulmosh Mirosllav Lajçak, në procesin ku ai nuk ka shumë peshë si individë, por përfaqëson fuqitë që e kanë deleguar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli dje në konferencë për media dhe e akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.
Kurti tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Kryeministri tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndaj këtij qëndrimi të Kurtit ka dalë njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi. Ai në një deklaratë për Gazetën Sinjali, e ka konsideruar pamaturi veprimin e djeshëm të kryeministrit.
“Është pamaturi dhe gabim ta sulmosh ndërmjetësuesin në procesin ku ai nuk ka shumë peshë si individë, por përfaqëson fuqitë që e kanë deleguar. Është sikur ta akuzosg vetë sekretarin e shtetit të SHBA, Blinken, andaj edhe reagimi nga Uashingtonit ka qenë i menjëhershëm”, tha Maliqi për Gazetën Sinjali, duke iu referuar reagimit të Departamentit amerikan të shtetit.
DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi
“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, tha DASH, shkruan Gazeta Sinjali.
Maliqi vijon dhe i quan sjelljet e Kurtit të pakoordinuara me fuqitë aleate.
“Kryeministri po e thellon krizën dhe mbase edhe sankcionet mëtejme. Nëse të gjithë të thonë se je në rrugën qorre, të paktën reflekto mos po i qasesh dialogut në mënyrë jooproduktive dhe në dëm të interesave të Kosovës”.
Njohësi i politikbërjes në vend, Maliqi, tutje tha për Gazetën Sinjali se ky “është dështim personal i Kurtit, dhe dështim i Kosovës”.
“Nuk i ka mbet më asnjë aleat, as i mbrendshëm, pos fanatikëve që e shohin si politikan të dinjitetshëm që nuk bën kompromise, edhe pse tashmë i ka bërë duke lëpirë të gjitha ato që deri dje i ka pështyrë”…
Pas gjithë këtyre zhvillimeve, Maliqi supozon se mund të ketë një kthesë dhe një qasje tjetër në dialog, me ndërhyrje të Amerikës.
Ndërsa Maliqi thekson se “nevoja është për zgjidhje të shpejtë”.
“Ka disa vite që kjo po përsëritet për shkak të krijimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, por kjo bllokohet nga Vuçiqi dhe Kurti me politika dhe kalkulime populliste”.
Ndryshe, rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.
Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.
Kurti tha se në Bruksel propozoi një plan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.