Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Mitrovicën Jugore, ku po dyshohet për keqpërdorim me vota.
Lekaj në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thotë se një rast i tillë është alarm për gjendjen e demokracisë në Kosovë.
Sipas tij, kjo tregon qartë se VV po tenton të kontrollojë vullnetin e qytetarëve.
“Zhvillimet e fundit në Mitrovicë janë tepër shqetësuese dhe cenojnë rëndë integritetin e procesit zgjedhor në vend. Dyshimet e ngritura për keqpërdorime dhe manipulime me vota janë një sinjal alarmi për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe për mënyrën se si pushteti aktual po tenton ta kontrollojë vullnetin e qytetarëve”, tha Lekaj.
Lekaj tutje shtoi se, organet kompetente duhet të veprojnë menjëherë duke ndëshkuar përgjegjësit.
“Procesi zgjedhor është themeli i çdo shteti demokratik. Çdo ndërhyrje apo abuzim me të është sulm ndaj lirisë së votës dhe ndaj besimit publik. Prandaj, kërkojmë që organet kompetente të veprojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe pa ndikim politik, për të hetuar këto dyshime dhe për t’i ndëshkuar të gjithë përgjegjësit”, tha ai.
“Asnjë pushtet nuk mund të ndërtohet mbi mashtrime dhe manipulime. Qytetarët e Kosovës meritojnë zgjedhje të ndershme, të lira dhe të besueshme, jo një proces të njollosur nga praktikat e së kaluarës që po përsëriten sot nga ata që dikur premtonin ndryshim”, tha Lekaj.

