Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë një temë thelbësore në politikën rajonale dhe ndërkombëtare.
Pas shumë vitesh tensionesh dhe konfliktesh, përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për marrëdhëniet midis dy vendeve po vazhdojnë ende.
Pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij procesi, Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur deri tek marrëveshja përfundimtare që do të sillte edhe njohën reciproke.
E një drejtim të ri pritet të marrë ky proces nga shtatori, kur do të bëhet edhe ndërrimi i ndërmjetësit të BE-së, e që aktualisht është Miroslav Lajçak.
Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Miroslav Lajçak, pritet që në shtator të largohet nga pozita e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun dhe të marr pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër.
Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, dëshirën për të qenë në pozitën e tij tashmë e ka shprehur ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
Pahor madje ka paralajmëruar se këtë javë do të dorëzojë kandidaturën e tij në Bruksel që të jetë emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Ish-presidenti slloven, ka thënë se Sllovenia dhe ai kanë statusin e një ndërmjetësi të ndershëm dhe po ashtu ide se si të ngjallet procesi i ngecur i dialogut.
“Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe politike në rajon është shumë shqetësuese”, ka thënë ai gjatë një interviste RTV Slovenia.