Nën pretendimet për krime lufte, autoritetet serbe kanë ndaluar pasditen e së shtunës Tefik Mustafën. Familjarë të tij tregojnë se ai është dërguar në Beograd, derisa të shqetësuar thonë se Mustafa nuk kishte qenë në Kosovë gjatë kohës së luftës. Në lidhje me rastin, nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë kërkuar reagim ndërkombëtar.
Ishte nisur për në Slloveni, por udhëtimi i Tefik Mustafës u ndal në gjysmë pasditen e së shtunës, kur ai u ndalua në pikën kufitare në Merdar nga autoritetet serbe.
Djali i tij, Qamil Mustafa, thotë se nën pretendimet për krime lufte, babai i tij u dërgua në Beograd.
Mustafa i mohoi pretendimet serbe se babai i tij ka kryer krime lufte, pasi sipas tij, i njëjti gjatë asaj kohe nuk kishte qenë në Kosovë, njofton RTK.
Rastin e kanë dënuar nga Ministria e Punëve të Jashtme nga e cila i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa për lirimin e tij.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës “ka dënuar ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit z. Tefik Mustafa dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Njohës të sigurisë thonë se përmes veprimeve të tilla, Serbia po mundohet që ta mbajë situatën mes dy shteteve të tensionuar.
Serbia kishte ndaluar e keqtrajtuar edhe kosovarë të tjerë gjatë viteve të fundit. Nezir Mehmetaj tash e katër vjet po mbahet nëpër burgjet serbe nën pretendimet për krime lufte, ashtu sikurse edhe Hasan Dakaj e Sadik Duraku.