Pa merak, e konfirmon edhe Komisioni Evropian: Kosovarët lëvizin pa viza nga janari i 2024-ës

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen.

Kjo është ri-konfirmuar në një përgjigje për lajmi.net nga ana e Komisionit Evropian.

‘’Liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore’’, thuhet fillimisht në përgjigjen e Zëdhënëses së Komisionit Evropian për çështjet e brendshme, Anitta Hipper.

Po ashtu në përgjigjen e saj thuhet se Komisioni kishte vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe se Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet.

Më tutje thuhet se shtetet anëtare individuale nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Në këtë rast konfirmohet se Franca si e vetme s’mund ta stopojë apo pezullojë procesin më.

‘’Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së’’, thuhet në përgjigjen e Hipper.