Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë thirrje për protestë me datën 23 janar 2023, kundër deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për politikanin serb, Oliver Ivanoviq.
Kjo protestë është mbështetur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizatës, Faton Klinaku, i cili ka treguar se do të jenë pjesëmarrës.
“E mbështes protestën dhe do të jem pjesëmarrës në të. Kërkoj që të mbështetet edhe nga ju. Të indinjuar thellë me veprimet e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, dhe tenitmin e tij për të amnistuar kriminelin e luftës, ideatorin dhe kryerësin e vrasjeve të shqiptarëve civil, Oliver Ivanoviqit.” – thuhet në postimin e Klinakut.
Ndër të tjera Klinaku ka ftuar edhe qytetarët e tjerë që t’i bashkëngjiten protestës.
“Në këtë protestë ftohen të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, të cilët mendojnë se heshtja ndaj veprimeve destruktive dhe të rrezikshme është po ashtu një bashkëngjitje në faj. Përmes kësaj proteste duam të tregojmë që ka ardhur koha për t`u distancuar dhe për t`i ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit tonë politikë, pa përjashtim, për më shumë kujdes, maturi dhe përgjegjësi ndaj historisë, të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë.” – ka përfunduar ai.