Osmani: Taravari gjatë gjithë kohës ka përçarë shqiptarët

Ish-kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është shprehur optimist për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ai beson se shqiptarët tashmë janë përcaktuar për alternativen e tyre politike dhe sipas tij, të mërkurën forcat maten mes Frontit Evropian dhe VMRO DPMNE.

Osmani tha se lideri i VLEN-it, Arben Taravri, është eksponent i kryetarit të VMRO-së, Hristijan Mickovski.

Ai u shpreh se gjatë gjithë fushatës, Taravari ka luajtur lojën e Mickovskit për t`i përçarë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Ne kemi pasur informacione që nga fillimi se z. Taravari është eksponent i Mickovskit dhe ai gjatë gjithë kohës ka luajtur lojën e tij për t’i përçarë shqiptarët. Të them të drejtën gjatë fushatës edhe nuk jam marrë me të, por me promovimin e agjendës time. Më 24 prill doli që populli e kishte lexuar mirë që oponenti im nuk ishte qëllimmirë dhe nuk ishte i sinqertë ndaj tyre, ndaj edhe e dënoi – me votë.

Tani, pa fije përgjegjësie duan t’i bëjnë puç, ta minojnë Marrëveshjen e Ohrit duke thënë se ne Maqedoni të Veriut ka vetëm një shumicë dhe se përfaqësuesit e shqiptarëve do t’i zgjedh fituesi te maqedonasit, njësoj siç vepronte Millosheviqi dikur me Sejdo Bajramoviqin, Ali Shukriun apo Rahman Morinën duke i cilësuar ata “shqiptarë të ndershëm” si përfaqësues të popullit shqiptar në Kosovë, pa vullnetin e tyre. Është i njohur fundi i tyre.

Në rastin tonë, kjo i ka ofenduar dhe nënçmuar rëndë shqiptarët duke goditur dinjitetin e tyre si popull shtetformues, por është goditje edhe për esencën e Maqedonisë së Veriut të pas Marrëveshjes së Ohrit e cila kërkon që përveç shumicës së thjeshtë domosdo të ketë edhe shumicë të dyfishtë që do reflektojë vullnetin e popullit shqiptar. Jam më se i bindur se ky karagjozllëk, për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër, do të marrë dënimin e fuqishëm më 8 maj.” – tha Osmani për Nacionalen.