Presidentja Vjosa Osmani sot në selinë e NATO-s në Bruksel do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.
Pas takimit, Osmani dhe Stoltenberg, do të mbajnë konferencë për media.
Gjatë kësaj vizite, shefja e shtetit do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.
Ajo do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.
“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, thuhet në njoftim.
Edhe NATO ka konfirmuar takimin e Jens Stoltenberg me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.