Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka nisur fjalimin në akademinë përkujtimore për presidentin Ibrahim Rugova me poetin Ali Podrimja “Unë biri yt Kosovë”.
Osmani, mes tjerash theksoi se Rugova ishte i lidhur me vendin e vet dhe i shërbeu asaj deri në frymën e fundit, njofton Klankosova.tv.
“Ta nis pikërisht me poetin të madh Ali Podrimja, unë biri yt Kosovë, nuk mund të kishte përshkrim më të fuqishëm dhe më të thellë për karakterin e një presidenti, i cili nuk ishte vetëm një president por më shumë se kaq”, ka deklaruar Osmani.
“Një shqiptar i lidhur fortë për rrënjët dhe kulturën e trashëgimin e vendit të vet, njeri i dijeve i cili studioi kulturën dhe e bëri të dukshëm trashëgimin e vendit të vet”.
“E pra kush mund të simbolizonte më shumë sesa shprehja poetike unë biri yt Kosovë, personalitetin e Ibrahim Rugovës, lidhjen e tij me vendin e vet, me vlerat e trashëgiminë e tij me përkushtimin për ta krijuar shtetin, duke ruajtur lidhjet me aleancën euroatlantike”.
“Ai që qe biri i vërtet i Kosovës, i shërbeu asaj deri në frymën e fundit dhe për këtë e mori dashurinë e përhershme të popullit të saj. Iu afrua Kosovës siç i afrohet fëmija nënës, për t’i dalë zot në ditë të rënda. U ngroh nga dashuria e saj”.