Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. Pas këtij vendimi, ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani ka shkruar se NATO-ja është fati i Kosovës dhe se vendi do të vazhdojë përpjekjet me aleatët për rrugën drejt anëtarësimit.
“Mirënjohës për të gjithë anëtarët që votuan në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në atë të një anëtari të asociuar. NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s të dëgjohet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimin.” – ka deklaruar Osmani.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi.
Në njoftimin e Parlamentit serb është thënë se dhënia e një statusi i tillë do të jetë shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.