Osmani: Moskonstituimi i Kuvendit po rrezikon fondet nga BE-ja, rreth 900 milionë euro

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas takimit që ka pasur me liderët e subjekteve politike rreth ngërçit politik.

Ajo tha se edhe pas 16 përpjekjeve nuk është konstituar Kuvendi.

“Edhe sot i kam inkurajuar partitë politike të gjejnë zgjedhje të përbashkët. Ky është vetëm takimi i parë, nëse është e nevojshme do të takoj edhe liderët veç e veç, këto takime nuk janë për formimin e qeverisë, por për konstituimin e Kuvendit. Disa prej pasojave që po ballafaqohet vendi ynë si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit është zvarritja e procesit të planit të zgjerimit të BE-së, pra po flasim për diku rreth 900 milionë euro do të ishte përfitimi sikur Kosova ta ratifikonte marrëveshjen me BE-në”, tha ajo.

Po ashtu, ajo tha se ka zvarritje edhe në proceset e anëtarësimit, e të tjera.

“Ekziston një disponim minimal, që do të rritet me kalimin e kohës”, ka potencuar presidentja.

Po ashtu, ajo tha se duhet të vazhdohet me përpjekjet për konstituimin e Kuvendit.

Siç transmeton Telegrafi, presidentja deklaroi se do të vazhdojnë diskutimet dhe se dialogu politik është i nevojshëm.