Osmani: I pamundur anëtarësimi në INTERPOL pa ndihmën e SHBA-së, bashkëpunimi është i domosdoshëm

Presidentja Vjosa Osmani foli për rezultatet e bashkëpunimit me SHBA-në në një konferencë për media pas takimit me Ndihmës Sekretarin amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

Osmani tha se në disa nga sukseset më të rëndësishme në Kosovë ka dorë Byroja që e udhëheq zyrtari i lartë amerikan që erdhi për vizitë në Kosovë.

“Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byrosë që e udhëheq Ndihmës Sekretari Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95% të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo tha se Ndihmës Sekretarit i tregoi edhe për synimin e vendit për t’u anëtarësuar në INTERPOL, gjë që tha se “do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”./Express