Osmani e përsëriti kërkesën për masa ndaj Serbisë edhe në takim me deputeten britanike Kearns

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përsëritur kërkesën ndaj komunitetet ndërkombëtar gjatë një takimi të premten me deputeten britanike, Alicia Kearns, për ta ndëshkuar Serbinë.

Kjo është e disata herë që Osmani ka kërkuar që të ndëshkohet Serbia, duke marrë masa ndaj saj për sulmin terrorist në veri, ku humbi jetën një rreshter i Policisë së Kosovës.

Osmani ka deklaruar para disa ditësh se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet në Kosovë, me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë “kanë dëshmuar se Serbia qëndron” pas këtij sulmi. Sipas saj, Komisioni Evropian, ka të drejtë dhe kompetenca që të prezantojë masa politike dhe financiare, që nuk kërkon miratim të Këshillit.

Kërkesa e saj ishte diskutim në takimin me Kearnsin, e cila kishte paralajmëruar në fillim të korrikut për kontrabandë të mundshme me armë në veri të Kosovës.

Rreth dy muaj para sulmit, Kearns kishte thënë se “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.

Policia e Kosovës ka gjetur arsenal të jashtëzakonshëm armës në veri pas sulmit, për të cilat tha se janë futur në Kosovë përmes Serbisë.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijen për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë “pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator”, sipas njoftimit të Presidencës.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.