Osmani do ta përfaqësojë vendin në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për Nju Jork ku do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Presidentja Osmani në këtë takim do të diskutojë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

“Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator. Ndër të tjera, Presidentja Osmani do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.

Para takimit të Këshillit të Sigurimit, Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.

Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 21:00 me kohë të Kosovës ndërkaq në orën 15:00 me kohë të Nju Jorkut.