Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të shteteve aleate bëri homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s në 25-vjetorin e nisjes së bombardimeve që i dhanë fund luftës në vitin 1999.
Osmani tha se 24 marsi është “ditë e shpresës së madhe”, dhe dita që “u shndërrua në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike”. Shtetet mike, ajo tha se “qëndruan pranë Kosovës jo vetëm më 24 mars, jo vetëm në vitin ’99, por po qëndrojnë me ne edhe sot përderisa përballemi me sfida të shumta për ta fuqizuar Kosovën edhe ndërkombëtarisht”.
Presidentja tha se Kosova shpejt “do ta kthejë këtë borxh”, raporton Gazeta Express.
“Faleminderit përjetësisht NATO-s. Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve që na qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe do ta kthejë këtë borxh duke ndihmuar në vendet e tjera, siç po ndihmon edhe sot ushtria jonë”, u shpreh Osmani para mediave.
Shefja e shtetit kujtoi se si 25 vjet më parë “për herë të parë aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i Millosheviqit”.
Osmani e falënderoi “secilin nga ushtarët e NATO-s që e rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që ta shpëtojnë tonën”.
“I falënderoj të gjithë liderët të shteteve demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës, por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh përderisa ne punojmë bashkërisht që Kosova e sotme t’i bëjë qytetarët e miqtë e saj të mburren me sukseset në zhvillim e demokracisë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, u shpreh ajo.