Osmani, Basha dhe Kurti përkujtojnë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën

Krerët e shtetit të Kosovës kanë bërë homazhe në nderim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Në 44-vjetorin e vrasjes së tyre, ata kanë vlerësuar se vrasje e këtyre veprimtarëve ishte humbje e madhe për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 17 janarin është ditë e humbjeve të shumëfishta.

“17 janari është një prej ditëve më të kobshme për kombin tonë, për popullin tonë. Është dita kur u vranë mizorisht Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Njëkohësisht, është edhe dita kur u vra Smajl Hajdaraj. Po ashtu, është dita kur humbëm heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Një ditë e humbjeve të shumëfishta, por njëkohësisht edhe një ditë krenarie për kombin tonë”, ka thënë ajo.

Bashkë më Osmanin homazhe ka bërë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

“Edhe para luftës, shqiptarët nën Jugosllavi e Serbi nuk kishin paqe dhe për këtë janë dëshmi edhe demonstratat e shumta të organizuara, por gjithashtu edhe ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë”, ka thënë Kurti.