Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përshkruar 24 marsin e vitit 1999 si ditë të shpresës së madhe për Kosovën, teksa ka rikujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi.
“Njëzet e katër marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe, sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocodal i [ish-liderit, Sllobodan] Millosheviqit, dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë”.
Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka kryer homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, i cili gjendet te Sheshi Nëna Terezë në Prishtinë.
Prezentë kanë qenë edhe ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë.
“Kjo ditë e shpresës së madhe është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë”.
Osmani e ka falënderuar secilin ushtar të NATO-s që, siç ka thënë ajo, e kanë rrezikuar jetën e tyre “në mënyrë që ta shpëtojnë tonën”.
“Dua t’i falënderoj të gjithë liderët e botës demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës, por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh, përderisa punojmë bashkërisht që Kosova e sotme të jetë Kosovë që do t’i bëjë, jo vetëm qytetarët, por edhe miqtë e saj, që të mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë”. /REL/