Organizata e Veteranëve të Luftës ka një njoftim me rëndësi

Sot një javë, në Gjilan do të qëndrojë kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova. Me këtë rast, Partia Socialdemokrate konfirmoi se do të protestojnë kundër kësaj gjykate.

Madje, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj i ftoi në protestë edhe veteranët.
E Organizata e Veteranëve të Luftës, ka thënë se ka shumë arsye për të protestuar kundër Gjykatës Speciale. U.D kryetari i OVL-UÇK-së ka thënë për Nacionalen se protestës duhet t’i bashkohen të gjithë.

“Arsye për të protestuar ka shumë, natyrisht secili që mundet të protestojë nga OVL-UCK do të përkrahet. Thashë që përpara kemi organizuar vetë dhe na janë bashkuar qytetarët, meqenëse PSD-ja e ka organizuar ajo bën thirrje jo vetëm ndaj veteranëve, por edhe ndaj popullatës, kur bëhet thirrje qytetare, mund të dalë secili”, tha Faton Klinaku për gazetën Nacionale.

Ai e përmendi edhe kërkesën e djeshme të Prokurorisë, e cila kërkoi 35 vjet burg për Salih Mustafën.

“Ju e patë edhe dje që Prokuroria e asaj gjykate, siç e kam thënë edhe mbramë në facebook po paraqiten si mafiozë, veprojnë kundërligjshëm sepse me çdo kod penal qoftë të ish-jugosllavisë apo Kodi i Kosovës, veprat për krime lufte maksimumin e dënimit e kanë pasur, ose kërkesën e kanë pasur 20 vjet. Ndërsa prokurorët skandalozë të asaj zyrë, kërkojnë nga Salih Mustafës 35 vite denim. Kjo është e kundërligjshme, ata nuk respektojnë as ligj e kushtetutë të shtetit që e ka krijuar këtë gjykatë”, tha më tutje Klinaku.

Kryetarja e Gjykatës Speciale do të qëndrojë në Gjilan më 21 shtator, nga ora 10:00 deri 11:30.