Partitë politike opozitare janë shprehur tejet optimiste rreth rezultatit në zgjedhje të ardhme. Ani pse sondazhet nuk i nxjerrin aq mirë, zyrtarët e këtyre partive politike kanë thënë se synojnë që të dalin fitues në zgjedhjet e ardhshme.
Madje, ata janë shprehur të bindur se Albin Kurti më nuk do të jetë kryeministër i Kosovës.
Ndonëse zyrtarët PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk kanë treguar nëse kanë ndonjë dakordim që pas zgjedhjeve të mos shkojnë në koalicion me VV-në, në deklaratat e tyre publike vërehet një ngjashmëri.
Më e qartë në këtë drejtim ka qenë Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur i bindur se Kurti më nuk do të jetë kryeministër i vendit.
Në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë se PDK-ja do të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme.
“Ne si PDK besojmë se VV nuk do t`i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të bindur që mandatari i jonë do të jetë person fitues i atyre zgjedhjeve. Ne jemi të bindur, ashtu siç kemi befasuar në zgjedhjet lokale, që prej parashikimeve që PDK-ja del me 2 komuna, kemi shku me numrin më të madh të komunave. Prapë jam i bindur që mandatari i jonë për kryeministër, kryetari i PDK-së, do ta merr numrin më të madh të votave dhe do të arrij me e pas mandatin për themelimin e qeverisë”, ka thënë Tahiri.
Deputeti i Tahiri ka thënë se është qëndrim i PDK-së që të mos hyn në koalicion qeverisës me askënd nëse nuk del e para në zgjedhje.
“Plani ynë B, në asnjë rrethanë me VV-në nuk hyjmë në koalicion. As si të dytë nuk hyjmë në koalicion. Nëse ne nuk i fitojmë zgjedhjet, nuk hyjmë në koalicion”, ka thënë Tahiri.
Deklarata të ngjashme ka dhënë dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se këto janë momentet e fundit të Qeverisë Kurti
“Është viti i fundit, maksimumi i mundshëm deri kur do të jetë në pushtet z. Kurti është tash e një vit, pra një vit i plotë. Por, zgjedhjet do të duhet të shpallen deri në fund të shtatorit dhe të mbahen diku në fillim të janarit ose të shkurtit të vitit 2025”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, për Qeverinë Kurti ka filluar numërimi mbrapshtë.
“Ky është kalendari i rregullt zgjedhor. Situata politike, gjendja politike në vend, janë çështje të jashtëzakonshme për të cilat do të japim përgjigje në momentin e duhur. Gjithësi, tashmë ka filluar numërimi mbrapsht, pra po i afrohemi fundit të kësaj qeverisje.”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlament të AAK-së, besnik Tahiti ka thënë se kurrë më VV-ja nuk do të mund t’i fitojë 50 për qind të votave.
“Unë personalisht pres që zgjedhjet të jenë të rregullta, për shkak se nuk ka shans Albin Kurti me qeverinë e tij me lënë gjithë këtë privilegj, për shkak se mirë e dinë që kurrë më nuk do t’i merr 50%, andaj ky do të mundohet ta shtyej deri në fund.”, është shprehur Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
VV-ja beson se gara do të jetë për vendin e dytë
Krejt ndryshe mendon partia në pushtet. Zyrtarët e VV-së kanë bërë me dije se në zgjedhjet e ardhme gara do të jetë për vendin e dytë.
Sipas tyre, nuk do të diskutohet se kush do të mund t`i fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sondazhet po tregojnë gjithçka.
“Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash. S’është befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën. Po ndodh sërish. Vetëm u uroj suksese. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, sondazhet janë, opinioni po hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave, edhe prej partive që po i porosisin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës”, është shprehur Konjufca.
Njëjtë mendojnë edhe deputete tjerë të pushtetit.
Në një intervistë për “Kanal 10”, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, është shprehur i bindur në fitoren e VV-së në zgjedhjet e ardhshme.
Madje, ai ka thënë se nuk do të këtë nevojë për koalicione paszgjedhore.
“Unë besoj që do ta kemi një rezultat solid dhe nuk do të ketë nevojë për koalicion….Këtu nuk bëhet diskutim më për vendin e parë dhe kush do t’i fitojë zgjedhjet. Lufta është për vendin e dytë. Krejt lufta po bëhet a do të jetë PDK-ja a LDK-ja e dyta.”, ka deklaruar Bajqinovci.
Në zgjedhjet e vitit 2014 fituese kishte dalë PDK-ja, por opozita e asaj kohe nuk pranonte të hynte në koalicion me partinë e Hashim Thaçit.
LDK-ja, VV-ja, AAK-ja dhe Nisma kishin krijuar bllokun e quajtur VLAN dhe kërkonin që ata ta formimin qeverinë e re. Pas një “beteje” në Gjykatën Kushtetuese, LDK-ja kishte pranuar të qeverisë me PDK-së, pasi kjo e fundit kishte pranuar të ja jep postin e kryeministrit./Nacionale