Operacion i madh i policisë në Pejë, bastiset shtëpia e të akuzuarit për trafik ndërkombëtar të drogës

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të madh dhe të gjerë në rajonin e Pejës.

Policia ka bërë me dije se operacioni është realizuar në bashkëpunim me Gjermaninë e shqipërinë, në të cilën është realizuar bastisje në shtëpinë e një personi që ishte nën dyshim për vepra penale me trafikim me narkotikë në nivel ndërkombëtar.

“Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të potencuar, ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, bën me dije policia.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me shtetin e Gjermanisë dhe atë të Shqipërisë, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Pejës.

Në këtë operacion policor kanë qenë të angazhuara njësite të ndryshme policore, të cilat kanë kryer kontrolle në dy lokacione, banesë dhe shtëpi banimi të personit të dyshuar (P. D.), i cili me datën 22/11/2023 ishte arrestuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë si i dyshuar për vepra penale të trafikimit me narkotikë në nivel ndërkombëtar.

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të potencuar, ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.