Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se Serbia ka premtuar se Millan Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës, që vranë një zyrtar policor. Gjatë këmbimit të zjarrit më 24 shtator 2023, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Zyrtari amerikan gjatë forumit të Dubrovnikut tha se pret që Serbia të mbajë premtimin.
“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator [në Banjskë] duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se zoti Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien.