Nuredin Lushtaku deklaroi se policët u plagosën mes vete, reagojnë nga Inspektorati Policor

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali ka deklaruar se deri më tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e mbrëmshëm në Skenderaj, ku mbetën të plagosur dy zyrtarë policorë. Në konflikt dyshohet se është përfshirxë ish-nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me dy vëllezërit e tij, Fatonin dhe Arifin, si dhe djalin, Arbrin.

Sipas IPK-së, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar, prandaj hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident.

Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar.

Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar).

Për detaje shtesë ju lutem i referoheni Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Sinjalin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata