“Nuk jemi neutralë”: Hovenier tregon pse ShBA nuk merr pjesë në dialog

Jeff Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovë, ka dhënë një intervistë për Kanal 10, ku ka folur për shumë tema.

Në këtë intervistë, z. Hovenier ka treguar se pse dialogu duhet të udhëhiqet nga BE-ja.

“Ai duhet të jetë një proces i udhëhequr nga BE-ja që siguron që të gjitha aranzhimet, reformat dhe proceset të jenë në përputhje me standardet evropiane. Fati juaj është si pjesë e Bashkimit Evropian dhe jo si shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të jetë kryesorja për këtë, me mbështetje jashtëzakonisht të fortë nga ne dhe kështu vazhdon të jetë”, ka theksuar Hovenier për “Politiko”-n.

Tutje, ambasadori ka deklaruar se ShBA-ja nuk është neutral, pasi e ka njohur dhe mbështet Kosovën si shtet.

“Epo, ne nuk jemi neutral. Ne e morëm vendimin në vitin 2008. Ne e mbështesim Kosovën si një shtet të pavarur demokratik, sovran. Unë ndonjëherë e krahasoj si pjesë të këtij procesi me shikimin e një ndeshje futbolli, ku tashmë mund të dini rezultatin përfundimtar në tabelën e rezultateve, e dini si përfundon ndeshja, e di se çka do të ndodhë në fund.” – shtoi ambasadori.