Nuhiu: Serbia mund të bërtasë sa të dojë, presidentja Osmani është e akredituar në OKB si çdo kryetar shteti

Rinor Nuhiu tha se presidentja Vjosa Osmani është akredituar sipas procedurave standarde të OKB-së, duke e quajtur propagandë pretendimin e Serbisë.

Këshilltari politik i presidentes Vjosa Osmani, Rinor Nuhiu, i është kundërpërgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, lidhur me praninë e presidentes së Kosovës në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në një reagim në platformën X, Nuhiu tha se “fabrika e lajmeve të rreme” e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrit Gjuriq po punon me orar të zgjatur, duke theksuar se Osmani është akredituar zyrtarisht nga OKB-ja si çdo kryetar tjetër shteti.

“Gënjeshtra pas gënjeshtrash. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nuk u ‘fut kontrabandë’ në OKB nga ‘një vend tjetër’, as nuk hyri si ‘turiste’. Ajo është e akredituar në përputhje me procedurat standarde të OKB-së… si çdo kryetar shteti tjetër”, shkroi Nuhiu.

Ai shtoi se propaganda serbe nuk mund të ndryshojë realitetin:

“Serbia mund të bërtasë sa të dojë. Faktet nuk ndryshojnë. Kosova është këtu. Dhe është këtu për të qëndruar. Përgjithmonë Kosova”.