Njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja, njohësit e diplomacisë: Zbutje karshi qëndrimeve

“Një dritë në fund të tunelit”, kështu u pa njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja, pesë ditë më vonë pasi qytetarët e vendit ishin të lirë të udhëtonin nëpër Evropë pa viza.

Ky vendim i Spanjës nga njohësit e politikës së jashtme shihet si fillim i zbutjes karshi qëndrimeve ndaj Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emruash Ujkani, njëherë edhe njohës i çështjeve të politikë së jashtme thotë se njohja e pasaportës nga ana e qeverisë spanjolle e zbut pak qëndrimin e Spanjës karshi Kosovës.

“Njohja e pasaportës nga ana e qeverisë spanjolle është një akt shumë i rëndësishëm. E zbut pak qëndrimin shumë të ngurtë që Spanja e ka pas për qëndrimin ndaj Kosovës dhe rreth Kosovës”, pohon Ujkani për Arbresh.info

Por sipas tij është e vështirë që të thuhet se mund të ndodh edhe njohja.

“Por a do të ndodh njohja gjatë këtij viti apo në të ardhme e afërt, është e vështirë me paragjykuar një situatë të tillë pasi janë shumë situata që e përcaktojnë një ndryshim të mundshëm nga qeveria spanjolle”, shprehet ai.

Ujkani e sheh këtë si një hap të rëndësishëm, teksa uron që të ndërrojë edhe qëndrimi politik i Spanjës për vendin tonë.

“Sido që të jetë e them që është një hap i rëndësishëm i mirë urojmë që edhe gradualisht të ndërroj edhe qëndrimi politik ashtu siç ndryshoj në lëvizjen e lirë”, përfundon ai.

Se njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja është një fillim i zbutjes ndaj qëndrimeve për Kosovën, thotë edhe Gazmir Raci.

“Vendimi i Spanjës për njohjen e pasaportave është fillim i zbutjes së qëndrimeve të Spanjës karshi Republikës së Kosovës sepse deri tani ka qenë shteti i vetëm në kuadër të pesëshes se ka hezituar shumë në drejtim të Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij njohja nga pesë shtetet mos njohëse të Bashkimit Evropian, ndërlidhet edhe me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.