Njeriu i Biden-it udhëton për në Paris, paralajmëron takim me Kurtin e Ramën

James C. O’brien, Ndihëms sekretar për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ka udhëtuar për në Paris të Francës, ku po qëndron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Madje, sipas një komunikatë të Departamentit të Shtetit, O’brien do të takohet me Kurtin dhe me disa liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Çka shkroi DASh-i?

Në komunikatën e DASh-it, tregohet se O’brien do të udhëtoj në Francë e Bruksel mes dative 9 dhe 14 nëntor. DASh-i ka treguar edhe për takimet që O’brien do t’i ketë në Forumin e Paqes në Paris, ku po qëndron edhe Kurti, me të cilin do të ketë edhe një takim.

Përveç me Kurtin, O’brien do të takohet edhe me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë. Tema e diskutimeve, sipas komunikatës së DASh-it, pritet të jenë “çështjet rajonale dhe dypalëshe”.

“Gjatë qëndrimit në Paris, ai do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris dhe do të takohet me drejtorin politik francez Frederic Mondoloni dhe zyrtarë të tjerë francezë për të diskutuar sfidat rajonale dhe globale. Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet gjithashtu me liderët evropianë, duke përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin armen Pashinyan, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin malazez Milatovic dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovachevski për të diskutuar çështjet rajonale dhe dypalëshe.” – shkruhet në komunikatën e DASH.

Ndryshe, mbrëmë në Paris të Francës ka “zbarkuar” edhe kryeministri Kurti, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudse, ndërsa të dytë u pritën nga Emmanuel Macron, president i Francës.

“Në Pallatin Élysée, bashkë me Ritën, mysafirë të Presidentit francez Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, në prag të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris.” – shkroi Kurti në profilin e tij në Facebook.

O’brien ishte nominuar nga presidenti amerikan Joe Biden, e pastaj ishte votuar në Kongresin e ShBA-së për të drejtuar zyrën pë Evropë dhe Euroazi. Rreth O’brien, Nacionale kishte shkruar një “biografi të shkurtër”, të cilën mund ta lexoni më poshtë:

Fjala e Ambasadorit me A të madhe

Ndryshe, dje ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, deklaroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë siguruar që draft statuti i ri i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, si dhe do të shqyrtohet edhe nga ky institucion.

Në një konferencë para gazetarëve, ambasadori amerikan edhe një herë siguroi që me këtë Asociacion nuk do të ketë autonomi, derisa përsëriti se fillimisht do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Nuk duhet të jetë një shtresë tjetër e qeverisjes, autoritet ekzekutiv, nuk shoh se si mund të ketë autonomi këtu. Draft-statuti i prezantuar te Qeveria e Kosovës është në përputhje me Kushtetutën, dhe këtë mund ta vendosë edhe Kushtetutën. Dhe në draft statut, ka një dispozitë që siguron që shqyrtimi bëhet, dhe shqyrtimi do të bëhet para se të hyjë në fuqi.” – tha ai.

Hovenier, pra ambasadori amerikan në Kosovë, i kritikoi edhe debatet mbi draft-statutin e Asociacionin, i cili ende është jopublik.

“Jam habitur me numrin e njerëzve që e kanë interpretuar një draft-statut që nuk e kanë parë. Është trik goxha mbresëlënës. Në fund të ditës, ata që nuk e kanë parë dokumentin, nuk kanë shumë bazë të komentojnë mbi të.” – tha ai.