Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar dy persona, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale Dhënia e ryshfetit dhe Marrja e ryshfetit.
Policia ka njoftuar se njëri nga të dyshuarit është inspektor i ATK-së, i cili po dyshohet se nga një qytetar ka pranuar një shumë të parave, duke keqpërdorur kështu detyrën zyrtare.
“Me datë 24.04.2024 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë jug, janë informuar se një zyrtar-inspektor i ATK-së dyshohet se mund të ketë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në terminalin Doganor në Mitrovicë dyshohet se nga një qytetar/palë në procedurë ka pranuar një shumë të hollash.”
Sipas njoftimit të Policisë, janë siguruar provat se qytetari i dyshuar me qëllim të lehtësimit të procedurave të kontrollit në kufi, i kishte ofruar para të gatshme zyrtarit të ATK-së.
“Gjatë punës operative dhe hetimore në bashkëpunim edhe me zyrtarë të Policisë Kufitare, në hapësirat e terminalit Doganor në Mitrovicë janë siguruar dëshmitë se i dyshuari mashkull me qëllim të lehtësimit të procedurave të kontrollit, i kishte ofruar para të gatshme zyrtarit të ATK-së të cilat i janë gjetur në xhepin e tij dhe të njëjtat i janë sekuestruar përkohësisht si provë materiale relevante për veprën penale.”
Lidhur me rastin, të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim dhe pas përfundimit të procedurave, u është caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh.