Sot janë bërë 1 vit që kur kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut u betuan dhe nisën zyrtarisht punën. Vlerësimet janë të kundërta për atë se çka arriti Qeveria e Kosovës me këmbënguljen që t’i mbajë kryetarët në këto detyra, pavarësisht numrit të vogël të votave dhe bojkotit të zgjedhjeve nga serbët
Lulzim Hetemi, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri kanë mbushur sot vitin e parë nga marrja e detyrave në krye të tri komunave veriore të banuara me shumicë nga serbët.
25 majin e vitit 2023 ata u betuan si kryetarë të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, mandate këto të cilave iu kontestua legjitimiteti pas numrit të vogël të votave që ata morën.
Shkaku i sigurisë së brishtë, që të tre betimin e kishin dhënë në objekte alternative.
E, pikërisht situata e sigurisë eskaloi kur serbët lokalë dhe grupet kriminale u mobilizuan që t’i pengojnë kryetarët të hyjnë në objektet kryesore të komunave.
I vetmi që arriti të hyjë në komunë ishte Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje me ndihmën e policisë, i cili për shtatë muaj nuk doli nga aty.
Ndërsa dy kryetarët tjerë që vijnë nga radhët e PDK-së zgjodhën që mandatin ta kryejnë nga objekte alternative në fshatra shqiptare.
Të pakënaqur me realitetin e ri, serbët protestuan për ditë të tëra, shumica prej të cilave ishin të dhunshme, ku për pasojë u lënduan policë të Kosovës, ushtarë të KFOR-it dhe punonjës të mediave.
Një vit pas, ky proces në sytë e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, u tregua i suksesshëm. Deputeti Arbër Rexhaj thotë se tani institucionet në veri kryejnë punën më mirë sesa kur ato udhëhiqeshin nga serbët.
“Ai sovranitet i ndërtuar prej letre ose ato institucione, ose integrimi ta themi i komunitetit serb në thonjëza, me një tik të Vuçiqit u rrëzua për tokë. Mendoj që Republika e Kosovës tregoi që nuk mund të ketë vakum, as nuk mund të ketë shembje institucionale, sepse megjithatë kemi institucione të cilat nuk lënë vakume dhe boshllëqe institucionale”, tha Arbër Rexhaj, deputet i LVV-së.