Një vit nga marrëveshja Kosovë-Serbi: “Në vend të normalizimit, shtensionim i situatës”

Ruajtja e paqes, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve ekskluzivisht me mjete paqësore dhe përmbajtja nga kërcënimet apo përdorimi i forcës janë disa nga pikat e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e arritën një vit më parë në Bruksel.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, do të duhej t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve – nga njohja e simboleve shtetërore deri te të drejtat më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë.

Megjithatë, ajo që ndodhi në terren gjatë vitit të kaluar, ishte gati krejt e kundërta e kësaj: rritje e tensioneve në veri të Kosovës pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe morën pushtetin; përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR; sulm i armatosur i serbëve kundër policisë së Kosovës; heqja nga qarkullimi e dinarit serb.

Pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe serb, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut, thonë se janë të zhgënjyer nga politikanët, prej të cilëve varet jetesa e tyre, dhe se kanë humbur shpresën “për një të nesërme më të mirë”.

Edhe një anketë e organizatës joqeveritare Aktiv për qëndrimet e komunitetit serb, e cila u prezantua më 26 shkurt, tregon se ekziston “një shqetësim i thellë dhe një pakënaqësi e madhe e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, lidhur me situatën aktuale politike”.

“Ka një shkallë më të madhe pesimizmi krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme, si pasojë e frikës në rritje për një konflikt të mundshëm të hapur”, është gjetja kryesore e organizatës me seli në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse janë të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes.

Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Prishtina, thotë se Kosova dhe Serbia kanë treguar se nuk kanë vullnet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, e cila konsiderohet “bazë pozitive për normalizimin e marrëdhënieve” dhe “paraqet mundësi për përparim cilësor”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Naim Leo Beshiri, nga Instituti i Beogradit për Çështje Evropiane, thotë se Kurti dhe Vuçiq janë dakord në planin ndërkombëtar, por se “bëjnë gjithçka për ta sabotuar marrëveshjen në nivel lokal”.

Çfarë ndodhi me marrëveshjen?

Njëzet ditë pasi Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen, më 27 shkurt, 2023 – që deri atëherë njihej në opinion si “plani franko-gjerman” – në Ohër u ra dakord për një aneks-dokument për zbatimin e saj.

Edhe pse nuk u nënshkrua, BE-ja tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligimet që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Pikat kryesore të marrëveshjes dhe aneks-dokumentit

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë parasheh, mes tjerash, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve, diplomave, targave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe të personave të zhdukur.

Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aneksi i zbatimit specifikon se të gjitha nenet e marrëveshjes duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, se Kosova dhe Serbia nuk do ta bllokojnë zbatimin e asnjë neni dhe se mosrespektimi i detyrimeve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Palët, po ashtu, është dashur që brenda 30 ditësh të themelojnë një komision të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, të kryesuar nga BE-ja.

Megjithatë, zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë shprehën vazhdimisht qëndrime që lanë të kuptohet se nuk janë të gatshëm t’i përmbahen marrëveshjes.

Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes, pasi, siç konsideron ai, kjo do të ishte garanci që edhe Serbia do t’i përmbushte obligimet e saj.

Në mes të janarit të këtij viti, ai tha po ashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioritet” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se nuk duhet veçuar.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët perëndimorë i paraqitën Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për formimin e Asociacionit, i cili u hartua nga BE-ja dhe të cilin palët thanë se e pranojnë. REL