Një vit nga Marrëveshja e Ohrit – Borrell e Stano shprehin keqardhje për progresin e kufizuar në zbatimin e saj

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë të dielën se tani është koha që Kosova dhe Serbia t’i japin fund krizës dhe tensioneve dhe të ecin përpara në një “epokë të re evropiane” duke e zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Deklarata u dha meqenëse sot shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia e finalizuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Borrell tha se kjo marrëveshje dhe Aneksi i Zbatimit të saj u arritën pas muajsh negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Europian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

“Neser shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit të saj u arritën pas muajsh negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Europian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha Borrell dje.

Borrell duke përmendur luftën në Ukrainë tha se arritja e një marrëveshjejeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte historike.

“Për herë të parë gjatë Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Europian”, tha Borrell.

Kryediplomati europian shprehu keqardhje që, “përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”.

“BE rikujton vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin europian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe të besueshëm”, tha Borrell.

“Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – europiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, theksoi ai.

Borrell tregoi se presin që “liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme”.

“Bashkimi Europian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara”, përfundoi ai.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, përkujtoi se ka një vit që Serbia dhe Kosova kanë arritur Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve dhe ka theksuar se Bashkimi Evropian i vjen keq që është bërë progres i kufizuar në zbatimin e saj.

“Prandaj Bashkimi Evropian u bën thirrje liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të tregojnë përgjegjësi dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të rrezikohet besueshmëria dhe integrimi evropian”, ka thënë Stano në rrjetin social X.