Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të mbajë konferencë për media të martën në ora 16:30.
Reporteri.net merr vesh se konferenca ka të bëjë me caktimin e gjyqtarit serb, Radomir Laban si gjytar raportues në lëndën për rendin kushtetues të dërguar nga Presidentja Osmani.
Një vit më parë, Presidenca kishte konfirmuar se institucionet e sigurisë kanë mbledhur informata se si gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, po e cenon sigurinë kombëtare e rendin kushtetues të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera relevante ishin informuar për këtë veprimtari të gjyqtarit Laban.
Më 2 shtator 2021 Radomir Llaban u bë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në gusht të vitit 2018, pas emërimit nga Kuvendi i Kosovës në maj të po atij viti. Asokohe, ai ishte një nga kandidatët me numrin më të madh të pikëve dhe kishte mbështetjen e Listës Serbe.
Pak para emërimit të Radomir Labanit në postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi kërkoi verifikim shtesë për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë, por në fund ai u zgjodh gjyqtar për një mandat nëntëvjeçar.
Laban gjendet në Kosovë që nga viti 2011, pasi kishte ikur nga Serbia, ku ishte dënuar me gjashtë vjet burg, për shkak se ishte pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore”, një grup i të dyshuarve për pranimin dhe dhënien e ryshfetit, shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve.
Laban ishte mbajtur në paraburgim në Serbi që nga nëntori 2006 deri në prill 2009.
Gjykata Themelore në Kralevë më 19 gusht 2021 kishte konfirmuar se Radomir Laban është ende nën urdhërarrestin e Serbisë, si dhe nën urdhërarrestin e INTERPOL-it, për ikje nga vuajtja e dënimit me burg për krimin e pranimit të ryshfetit.