Një pejane ia dhuroi veshkën burrit për t’ia shpëtuar jetën nga problemet e rënda shëndetësore

Florina Sadiku, punëtore e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Pejës, ka dhënë një shembull të rrallë dhe frymëzues të dashurisë së vërtetë dhe përkushtimit familjar. Ajo ia dhuroi veshkën bashkëshortit të saj, Besnikut, i cili po përballej me probleme serioze shëndetësore.

Florina e ka bërë të ditur këtë vet për portalin “Peja në Fokus”, ndërsa ka ndarë edhe disa momente të saj, nga ky akt për lexuesit tonë.

“Gjendja shëndetësore e Besnikut vetëm sa keqësohej,” rrëfen Florina. “Bëmë një vizitë te doktoresha Vjollca Godanci, dhe ajo ishte e para që na përmendi mundësinë e transplantit.”– nis biseden ajo, ndërsa tregon se nuk ka qenë një vendim i lehtë.

“Jo, nuk kam qenë shumë e vendosur që herën e parë kur është përmendur transplanti. Por, kur është në pyetje jeta e familjarit, besoj që çdo njeri do të vepronte njësoj.”

Por, besimi dhe shpresa e mirë i dhanë forcë për të bërë këtë hap të madh.

“Besimi në sukses dhe ndenja se pas intervenimit do të jetë çdo gjë në rregull më shtynë të marr vendimin.”– shprehet e emocionuar Sadiku.

Por se ku e gjeti ajo forcën në ditën e operacionit, ajo thotë se: “Isha e vendosur, u mbështeta në Zot, dhe pas operacionit, kur e kuptova që çdo gjë kishte përfunduar me sukses, ndjeva një lumturi të madhe.”

Procesi i transplantimit kaloi me sukses dhe të dy tani ndodhen në fazën e rikuperimit.

“Procesi kaloi mirë, çdo gjë ishte nën kontrollin mjekësor, dhe falë Zotit të dy jemi mirë.”– shton ajo.

Ky akt i Florinës ka ngjallur shumë mbështetje dhe përgëzime nga familja, kolegët dhe komuniteti i Pejës.

“Të gjithë më kanë përgëzuar dhe uruar për veprimin e marrë; familjarët më kanë mbështetur maksimalisht, edhe pse si autore e familjes e di që kanë qenë shumë të merakosur për mua.”– thotë tutje Florina për “Peja në Fokus”

Në fund, Florina ka një mesazh të qartë për të gjithë ata që ndodhen në situata të ngjashme:

“Nëse janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo vërtetohet nga ekipi mjekësor, mos të hezitojnë për të shpëtuar jetë.”