Për tensionet e ashpra në Veri ka shkruar edhe mediumi i famshëm britanik, BBC.
Siç shkruan BBC, Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza për vrasjen e policit kosovar, me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që ka akuzuar Serbinë për mbështetjen e grupit të armatosur dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq i cili tha se serbët e Kosovës mbanin përgjegjësinë përfundimtare për vdekjet.
Përplasja e së dielës shënon një nga përshkallëzimet më të rënda në Kosovë prej vitesh dhe pason muaj të tëra tensioni në rritje mes dy palëve.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia – së bashku me aleatët kryesorë të Beogradit, Kinën dhe Rusinë – nuk e njohin atë.
Shumë serbë e konsiderojnë atë vendlindjen e kombit të tyre. Por nga 1.8 milionë njerëz që jetojnë në Kosovë, 92% janë shqiptarë etnikë dhe vetëm 6% janë serbë etnikë.
Të shtënat filluan rreth orës 03:00, pasi policia kosovare tha se kishte mbërritur në Banjska, ku rreth 30 persona të armatosur rëndë ishin barrikaduar më parë në manastirin afër kufirit serb.
Tre nga kriminelët e armatosur u vranë në beteja gjatë ditës ndërsa policia organizoi atë që ministri i brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla e përshkroi si një “operacion pastrimi”.
“Ne e kemi vënë nën kontroll këtë territor. Kjo është bërë pas disa betejave të njëpasnjëshme,” tha ai.
Ndërkohë, Kisha Ortodokse Serbe tha se personat e armatosur ishin larguar nga manastiri natën, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti fajësoi “kriminelët e sponsorizuar nga Serbia” për inkursionin, duke thënë se ata ishin “profesionistë, me përvojë ushtarake dhe policore”, të cilët ishin financuar dhe motivuar nga Beogradi.
Presidenti i Serbisë Vuçiq u kundërpërgjigj, duke fajësuar Kurtin për muaj të tërë “provokimesh”.
Ndërsa e përshkroi vdekjen e oficerit të policisë së Kosovës si “absolutisht të dënueshme”, ai tha se Kurti mbante përgjegjësinë për incidentin. “Dëshira e tij e vetme është të na tërheqë në një luftë me NATO-n dhe kjo është e vetmja gjë që ai bën gjithë ditën”.
Vuçiq tha se do të kishte më pak viktima nëse do të ndërhynin paqeruajtësit e KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Aktualisht në Kosovë janë rreth 4500 paqeruajtës.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dënoi atë që ai e quajti “sulm të shëmtuar”, duke thënë se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë.
Tensionet janë rritur në Kosovë, pas përleshjeve të dhunshme pas zgjedhjeve të diskutueshme lokale në maj
Kryetarët shqiptarë të Kosovës u vendosën në zonat me shumicë serbe, pasi banorët vendas bojkotuan votimet.
Borrell fajësoi Kurtin për dështimin e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe që do t’u jepte atyre më shumë autonomi.
NATO dislokoi 700 trupa shtesë në Kosovë për t’u marrë me trazirat në qytetin verior të Zveçanit pas zgjedhjeve.
Rreth 30 paqeruajtës të NATO-s dhe më shumë se 50 protestues serbë u lënduan në përleshjet që pasuan./BBC.